Në një intervistë në kuadër të projektit “Përfaqësim për zhvillim inkluziv”, i mbështetur nga Civica Mobilitas, udhëheqësi i Sektorit për Arsimin e Lartë në MASH, Ahmed Qazimi, gjerësisht shpalon përpjekjet e Ministrisë së Arsimit për përafrimin e politikave arsimore me standardet europiane. Ai thotë se Qeveria është e vendosur të rrisë investimet në zhvillimin e veprimtarisë kërkimore-shkencore dhe, në këtë drejtim, në buxhetin për vitin 2025 janë parashikuar 680 milionë denarë për shkencë, krahasuar me vitin e kaluar, kur për këtë qëllim ishin ndarë 380 milionë denarë. “Ky trend i rritjes së buxhetit për shkencë do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme”, thotë ai. Qazimi thotë se Ministria e Arsimit po punon aktivisht për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e Procesit të Bolonjës përmes një qasjeje shumëdimensionale, ndërkohë që sinergjinë ndërsektoriale e sheh jo vetëm në drejtim të rritjes së efikasitetin institucional, por gjithashtu edhe në forcimin e karakterit demokratik të politikave publike. Sa i përket njohjes së kualifikimeve të arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor, ai thotë se shumë shpejt do të fillojë zbatimi i Marrëveshjes për Njohjen Automatike të Kualifikimeve Akademike, dhe më vonë edhe i kualifikimeve profesionale pas anëtarësimit të vendit në BE.
Në procesin e negociatave për anëtarësim në BE është edhe Klasteri 3, i cili përmban kapituj që kanë të bëjnë me reformat e nevojshme për harmonizimin e sistemit tonë arsimor me atë evropian. Çfarë mund të bëni ju në këtë drejtim?
Ahmed Qazimi: Procesi i anëtarësimit në BE kërkon përafrimin e politikave arsimore me standardet evropiane, dhe Klasteri 3 është kyç në këtë drejtim. Ministria e Arsimit dhe Shkencës po punon aktivisht në reformat që përfshijnë përmirësimin e cilësisë së programeve mësimore, digjitalizimin e arsimit, rritjen e mobilitetit të studentëve dhe stafit akademik, si dhe njohjen e kualifikimeve brenda Hapësirës Evropiane të Arsimit të Lartë.
Në këtë kontekst, do të vazhdojmë me zbatimin e Kornizës Evropiane të Kualifikimeve, avancimin e shkollave profesionale dhe përmirësimin e financimit të kërkimeve shkencore. Gjithashtu, do të forcojmë bashkëpunimin me universitetet në vendet anëtare të BE-së për të mundësuar një konkurrencë më të madhe dhe njohjen e diplomave tona në Evropë.
Qëllimi ynë është të krijojmë një sistem arsimor që do t’i përgatisë të rinjtë për një pjesëmarrje të suksesshme në tregun e punës dhe do të sigurojë standarde më të larta në të gjitha nivelet e arsimit.
Si të binden autoritetet dhe publiku për nevojën e një metodologjie ndërsektoriale të qasjes, me fokus të veçantë në vlerat themelore si e drejta për të studiuar, e drejta për të punuar dhe e drejta për një administratë të mirë?
Ahmed Qazimi: Hulumtimet tregojnë se sinergjia ndërsektoriale jo vetëm që rrit efikasitetin institucional, por gjithashtu forcon karakterin demokratik të politikave publike, duke mundësuar një zhvillim gjithëpërfshirës dhe holistik të shoqërisë.
Në këtë kontekst, komunikimi me publikun dhe palët e interesuara duhet të jetë transformues, dhe jo vetëm informues. Kjo nënkupton përdorimin e qasjeve multimodale – nga konferencat me ekspertë dhe debatet publike deri te platformat digjitale interaktive – me qëllim krijimin e një vetëdije kolektive për vlerat dhe implikimet e kësaj qasjeje.
Për më tepër, zbatimi i pilot projekteve në institucionet arsimore dhe administrative të zgjedhura në mënyrë strategjike do të mundësojë demonstrimin empirik të përfitimeve të metodologjisë ndërsektoriale, duke rritur ndjeshëm besimin mes publikut dhe vendimmarrësve.
Qasja ndërsektoriale nuk duhet parë si një metodologji alternative, por si një domosdoshmëri strategjike në qeverisjen moderne, ku të gjithë segmentet e shoqërisë punojnë në koordinim për arritjen e qëllimeve të përbashkëta të zhvillimit.
A zbatohet siç duhet Procesi i Bolonjës dhe sa e ofron vlerën e tij themelore – mobilitetin?
Ahmed Qazimi: Zbatimi i Procesit të Bolonjës në Maqedoni është një proces i vazhdueshëm dhe dinamik, i cili zhvillohet me përkushtim të plotë për harmonizimin me standardet evropiane në arsimin e lartë. Janë ndërmarrë reforma për standardizimin e programeve studimore, sistemin e krediteve (ECTS) dhe zbatimin e mësimdhënies të bazuar në rezultate, të cilat përfaqësojnë parimet themelore të sistemit të Bolonjës.
Mobiliteti, si një nga shtyllat kryesore të këtij procesi, mbështetet institucionalisht përmes mekanizmave si Erasmus+, marrëveshjeve dypalëshe dhe iniciativave rajonale. Ky mobilitet realizohet pa pengesa dhe çdo vit një numër i madh studentësh, pedagogësh dhe studiuesish nga universitetet tona bëhen pjesë e projekteve dhe programeve të ndryshme të mobilitetit në universitete të shumta në Evropë dhe anasjelltas. Megjithatë, gjithmonë ekziston mundësia për ta përmirësuar më tej këtë nivel të mobilitetit.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës po punon në eliminimin e pengesave administrative dhe të gjitha llojeve të tjera të barrierave me qëllim rritjen e numrit të studentëve që marrin pjesë në programet e mobilitetit, edhe atë permes këtyre masave:
Përmirësimi i kuadrit ligjor – rishikimi i rregulloreve për të lehtësuar mobilitetin akademik dhe për të rritur transparencën në njohjen e periudhave studimore dhe diplomave.
Mbështetje financiare – sigurimi i bursave më të mëdha për mobilitet përmes fondeve kombëtare dhe ndërkombëtare.
Mbështetje për institucionet – inkurajimi i universiteteve për të krijuar programe studimore fleksibile që mundësojnë më shumë ndërveprim me institucionet akademike evropiane.
Fuqizimi i bashkëpunimit me universitetet e huaja – nënshkrimi i marrëveshjeve të reja për shkëmbim dhe krijimi i kushteve për tërheqjen e studentëve të huaj në vendin tonë.
Besojmë se përmes një qasjeje sistematike dhe zbatimit të përkushtuar të këtyre masave, mobiliteti do të bëhet një përfitim real për çdo student dhe profesor në Maqedoni.
Si do ta rrisni ndërgjegjësimin profesional dhe të publikut më të gjerë për rëndësinë e Procesit të Bolonjës?
Ahmed Qazimi: Ministria e Arsimit dhe Shkencës po punon aktivisht për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e Procesit të Bolonjës përmes një qasjeje shumëdimensionale që përfshin komunitetin akademik, studentët dhe publikun e gjerë.
Brenda universiteteve, organizohen në mënyrë sistematike forume strategjike, diskutime në panele dhe punëtori, ku profesorët universitarë, studentët dhe ekspertët përkatës zhvillojnë dialog konstruktiv mbi sfidat dhe mundësitë që ofron Procesi i Bolonjës. Këto aktivitete shërbejnë si platforma për shkëmbimin e praktikave më të mira evropiane dhe përshtatjen e modeleve të suksesshme në sistemin tonë arsimor.
Paralelisht, Ministria po forcon transparencën dhe llogaridhënien përmes krijimit të burimeve digjitale që sqarojnë procedurat për mobilitetin akademik, njohjen e krediteve dhe diplomave.
Në bashkëpunim me organizata ndërkombëtare dhe institucione akademike evropiane, Ministria zbaton vazhdimisht iniciativa për forcimin e bashkëpunimit ndëruniversitar dhe nxitjen e mobilitetit të studentëve dhe pedagogëve. Përmes programeve Erasmus+, CEEPUS dhe marrëveshjeve dypalëshe, një numër gjithnjë e më i madh i studentëve dhe stafit akademik kanë mundësinë të zgjerojnë horizontet e tyre akademike dhe kërkimore brenda hapësirës evropiane të arsimit.
Në nivel nacional, Ministria zhvillon rregullisht konsultime të strukturuara me organizatat studentore, stafin akademik dhe odat ekonomike, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e parimeve të Bolonjës dhe rolin e tyre në krijimin e një force punëtore të aftë dhe konkurruese.
Përmes këtyre masave, Ministria siguron që Procesi i Bolonjës të mos mbetet thjesht një mekanizëm formal, por të shndërrohet në një instrument thelbësor për përmirësimin e cilësisë së arsimit të lartë dhe rritjen e atraktivitetit të tij në nivel evropian dhe ndërkombëtar.
Pse në rajon ende kemi barriera administrative për sa i përket njohjes së diplomave? Çfarë duhet bërë për t’i eliminuar ato?
Ahmed Qazimi: Sa i përket njohjes së diplomave, qofshin ato kualifikime të arsimit të lartë (cikli i parë, i dytë dhe i tretë), apo kualifikime të fituara në arsimin e mesëm ose fillor, nuk ka barriera administrative, por këto janë procedura të rregulluara në përputhje me ligjet, aktet nënligjore dhe rregulloret tona.
Të gjithë e dimë se vendi ynë synon digjitalizimin, gjë që automatikisht nënkupton lehtësimin e të gjitha shërbimeve për qytetarët tanë dhe ata të huaj. Sa i përket njohjes së kualifikimeve të arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor, shumë shpejt do të fillojë zbatimi i Marrëveshjes për Njohjen Automatike të Kualifikimeve Akademike, dhe më vonë edhe i kualifikimeve profesionale pas anëtarësimit të vendit tonë në BE, prej të cilave vijnë shumica e aplikimeve të paraqitura në portalin tonë.
Kemi mijëra qytetarë që aktivisht kërkojnë punë, por nga ana tjetër, ka mungesë kuadri për mbi 10 mijë vende të lira pune. A i përgjigjet sistemi ynë arsimor nevojave të tregut të punës?

Ahmed Qazimi: Ministria e Arsimit dhe Shkencës po ndërmerr hapa aktivë për një përshtatje më efikase të sistemit arsimor me dinamikën e tregut të punës.
Në këtë drejtim, në bashkëpunim me odat ekonomike, punëdhënësit dhe institucionet e arsimit të lartë, po punohet në mënyrë të vazhdueshme dhe sistematike për modernizimin e programeve mësimore, futjen e arsimit dual si dhe promovimin e programeve studimore dhe trajnimeve që përputhen me nevojat reale të ekonomisë.
Për të identifikuar profesionet kryesore dhe mungesën e kuadrove, kryhen rregullisht analiza mbi gjendjen e tregut të punës, në bazë të të cilave përshtaten kuotat e regjistrimit në shkollat profesionale dhe universitetet. Vëmendje e veçantë i kushtohet zhvillimit të sektorit të IT-së, shkencave teknike, profesioneve mjekësore si dhe kualifikimeve në industrinë artizanale dhe prodhuese, ku mungesa e fuqisë punëtore është më e theksuar.
Gjithashtu, po punohet në zgjerimin e arsimit dual, i cili u mundëson nxënësve dhe studentëve të fitojnë aftësi praktike përmes pjesëmarrjes direkte në proceset e punës në kompani. Përmes forcimit të këtyre partneriteteve, të rinjtë fitojnë kompetenca të rëndësishme që rrisin ndjeshëm konkurrueshmërinë e tyre në tregun e punës.
Ministria po investon gjithashtu në përmirësimin sistematik të orientimit profesional të nxënësve, me qëllim që të rinjtë të kenë një pamje të qartë mbi mundësitë reale në tregun e punës dhe perspektivat që ofrojnë profilet e ndryshme arsimore, që në fazën e arsimit të mesëm.
Vendi ndan më pak se 1% të BPV-së për shkencën dhe zhvillimin inovativ. Si reflekton kjo në zhvillimin e përgjithshëm?
Ahmed Qazimi: Investimi në shkencë dhe zhvillimin inovativ përbën një nga sfidat kryesore strukturore për qëndrueshmërinë afatgjatë të përparimit ekonomik dhe shoqëror. Qeveria është e vendosur të rrisë investimet në zhvillimin e veprimtarisë kërkimore-shkencore dhe, në këtë drejtim, në buxhetin për vitin 2025 janë parashikuar 680 milionë denarë për shkencë, krahasuar me vitin e kaluar, kur për këtë qëllim ishin ndarë 380 milionë denarë. Ky trend i rritjes së buxhetit për shkencën do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme.
Teksti është zhvilluar në kuadër të projektit “Përfaqësim për zhvillim gjithëpërfshirës”, i mbështetur financiarisht nga Qeveria e Zvicrës përmes programit Civica Mobilitas.
Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e vetme e Forumit për Politika të Arsyeshme, IOHN dhe BIRC dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Qeverisë së Zvicrës, Civica Mobilitas ose organizatave të saj zbatuese.
Burimi: KDP.mk