Cluster3edu

Jo njëherë është theksuar nevoja për reforma rrënjësore në arsimin e lartë, por deri më tani nuk një projeksion të qartë se çfarë konkretisht duhet të përfshijë ky proces reformash.

Në një bisedë me ekipin e Institutit BIRC, Akademik Abdylmenaf Bexheti thotë se reformat duhet bërë në disa dimensione dhe se për këtë nevojitet një konsensus i gjerë politik dhe shoqëror.     

Mendoj se mungesa e vullnetit politik për të bërë reforma substanciale në arsim është më shumë se evident. Fakti se për 34 vite, që nga fillimi i tranzicionit, në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës janë ndërruar mbi 28 ministra flet për mungesën e konzistencës në zbatimin e reformave. Mesatarisht në çdo 14 ose 15 muaj është ndërruar ministri i arsimit”, thotë Bexheti.

Bexheti, i cili është edhe Rektor i UEJL dhe deri para do kohe edhe kryetar i Konferencës Ndëruniversitare të Maqedonisë së veriut, flet edhe për reformat që duhet bërë në kuadër të Procesit të Bolonjës dhe në procesin e integrimit në BE si dhe për përpjekjet e përmirësimit të rangimit të universiteteve në listat ndërkombëtare kredibile.

– Shumë strategji, plane aksionale, reforma dhe politika arsimore, por rezultatet nuk duken të kënaqeshme kur flasim për cilësinë e arsimit në Maqedoninë e Veriut. Cilat, sipas Jush, janë defektet kryesore që pamundësojnë një sistem arsimor cilësor?

Abdylmenaf Bexheti: Sigurisht që mangësitë e sistemit në arsimin e lartë janë shumëdimensionale, por prioritet duhet të jetë aspekti ligjor-normativ. Shumë zgjidhje ligjore nuk janë në përputhje me legjislacionin tonë dhe nuk janë në konvergjencë normative me legjislacionin e Bashkimit Evropian. Çfarë nënkuptojmë me këtë? Ligji ynë për arsimin e lartë, në aspektin e përgjithshëm, ka rreth 210 nene që rregullojnë çfarë s’duhet të bëhet, por nuk rregullon atë që është më e rëndësishme – atë që duhet të bëhet. Ligji ekzistues për arsimin e lartë ka në qendër të vëmendjes profesorët ose ligjëruesit, dhe jo studentët, pra kujdeset më shumë për ta sesa për ata për të cilët është i destinuar – studentët!

Nga ana tjetër, universiteteve u mungon aspekti i lirisë akademike, në kuptimin funksional të fjalës. Pastaj, u mungon aspekti i lirisë së burimeve njerëzore – sa mund të zhvillojnë dhe trajnojnë burime njerëzore, sa mund të pranojnë staf gjithnjë e më cilësor. U mungon liria akademike, veçanërisht liria financiare për të alokuar dhe shfrytëzuar në mënyrë efikase dhe efeciente burimet e tyre financiare, jo vetëm ato që marrin nga ministria. Prandaj, nga ky aspekt normativ, ka mangësi të mëdha. Ligji për marrëdhëniet e punës mbron më shumë ata që nuk punojnë sesa individët e vlefshëm. Nëse deri para pak kohësh, dhe me të drejtë, profesorët ankoheshin për pagat e ulëta, sot (dhe pas dy muajsh edhe më shumë) duhet të shqetësohen për atë se sa dhe çfarë ofrojnë për ato paga mjaft të mira.

– Ju, deri para një muaji, keni qenë kryetar i Konferencës Ndëruniversitare të vendit me një mandat prej dy vitesh. A i keni debatuar këto probleme në atë forum?

Abdylmenaf Bexheti: Gjithsesi se po. Gjatë gjashtë muajve të fundit të mandatit kemi punuar në mënyrë gjithëpërfshirëse në ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit ekzistues për arsimin e lartë dhe, për herë të parë në dekadat e fundit, i miratuam ato në mënyrë konsensuale dhe unanime. Me formimin e qeverisë së re, ia dorëzuam ato ministres së re të Arsimit dhe Shkencës, Prof. Vesna Janevska. Ajo i shqyrtoi në kohë dhe, në disa raste, i diskutuam së bashku disa zgjidhje të caktuara. Reflektimi erdhi relativisht shpejt, pasi vetëm dy ditë më parë ajo formoi një grup pune gjithëpërfshirës, të drejtuar nga e njëjta profesoreshë që udhëhoqi grupin e punës në Konferencën Ndëruniversitare, për një “përmirësim” të mëtejshëm të zgjidhjeve të propozuara. Duke marrë parasysh shpejtësinë, përbërjen dhe drejtimin, shpresojmë për një epilog optimal.

Në qendër të vëmendjes duhet të jetë dizajnimi dhe funksionaliteti i sistemit të cilësisë. Koncepti i sistemit të cilësisë nënkupton një koncept të cilësisë totale ose “menaxhimit me cilësi totale”. Pra, për sa i përket cilësisë në të gjitha segmentet. Jo vetëm në mësimdhënie, leksione, aftësi, por edhe në shkencë, pritshmëritë e studentëve, dhe në zhvillimin e programeve mësimore adekuate që i kërkon tregu i punës, si dhe në bashkëpunim me komunitetin e biznesit dhe organizatat joqeveritare. Jo për mësim retorik dhe mekanik, por për të zhvilluar një mënyrë të menduari dhe krijuar aftësi për zgjidhjen e problemeve.

Sistemi i financimit të arsimit të lartë është gjithashtu një komponent shumë i rëndësishëm. Që nga fillimi i tranzicionit e deri më sot, financohen institucionet e arsimit të lartë dhe jo rezultatet e tyre. Shumë anëtarë të universiteteve publike-fakulteteve, sot kanë më shumë të punësuar sesa studentë! Kategoritë e njëjta të profesorëve paguhen njësoj, pa marrë parasysh produktivitetin, performancën apo ngarkesën e punës. Nuk ka indikatorë të matshëm për shpërblim bazuar në rezultate individuale të diferencuara (pjesë variabile). Dhe është krejtësisht e pabazuar sjellja e individëve – fatkeqësisht në numër të madh – që vazhdimisht i referohen autonomisë akademike, duke harruar integritetin akademik. Unë prej kohësh promovoj një ekuacion të autonomisë, e cila fillon aty ku mbaron përgjegjësia dhe llogaridhënia.

– Gati tri dekada nga pavarësia e vendit, pse nuk kemi arritur të kemi një sistem arsimor cilësor, funksional, të përafërt me atë të BE-së?

Abdylmenaf Bexheti: Nuk është e thjeshtë përgjigja në këtë pyetje sepse çështja është komplekse. Ne jemi në një rreth vicio për 30 e sa vite dhe jemi vazhdimisht në tranzicion. Mendoj se mungesa e vullnetit politik për të bërë një herë e përgjithmonë reforma substanciale në arsim është e evidente. Vetëm fakti se për 33-34 vite, që nga fillimi i tranzicionit, në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës janë ndërruar mbi 27 apo 28 ministra, flet shumë. Nëse nuk gaboj, ky është ministri i 29-të, që i bie mesatarisht që në çdo 14-15 muaj i kemi ndërruar ministrat. Mendoj se për të bërë reforma në MASH duhet një konsensus shumë i gjerë midis kreatorëve politikë relevantë, përfshirë edhe opozitën. Një konsensus politik që kur t’i hyjnë një reforme, të jetë e qëndrueshme, dhe mos të ndërpritet sapo vijë një qeveri e re. Nuk bëhen reformat në arsimin e ulët, të mesëm e të lartë me agjenda partiake. Ne patëm disa reforma me programe të Kembrixhit para 15 vitesh. Pastaj para 4-5 vitesh disa programe tjera ku u koncipuan të ashtuquajturat konceptet e reja të reformave arsimore. Pra, çdo dekadë bëjmë disa reforma, strategji, koncepte të cilat nuk shkojnë larg asnjëherë dhe ngelin në gjysmë të rrugës.

Dhe e fundit, por më e rëndësishmja, është politizimi i arsimit. Përderisa në shkollat fillore drejtorët emërohen mbi baza politike, në shkollat e mesme po ashtu, pjesërisht edhe në universitetet publike, ju nuk mund të bëni ndryshime substanciale. Prandaj kemi mbetur në këtë rreth vicioz, i cili nënkupton se duhet t’i shërbejmë klasës politike që është në pushtet, si në rrafshin lokal, ashtu edhe në rrafshin qendror. Ndonëse në situata të caktuara, në rrafshin lokal, politizimet kanë qenë edhe më të ashpra dhe më kritike se sa në atë qendror. Derisa këto nuk rregullohen, nuk parandalohen, sigurisht se do të vazhdojmë të rrotullohemi në atë rrethin vicioz.

Po shohim se shënohen rezultate jo të kënaqshme të universiteteve tona në rangimet ndërkombëtare. Ku qëndron problemi?

Abdylmenaf Bexheti: Problemi kryesor qëndron në një sistem të shtrembëruar dhe të zhvlerësuar vlerash, duke krijuar zakone që sugjerojnë se nuk ka rëndësi suksesi, por “lidhjet”. Pastaj, shndërrimi i arsimit të lartë në një fenomen masiv. Nuk bëhet fjalë vetëm për masivizimin e arsimit të lartë, ku çdo kandidat, pavarësisht suksesit të mëparshëm, regjistrohet në një program studimi, me disa përjashtime në fakultetet e mjekësisë ose stomatologjisë ku konkurrenca është më e madhe, por një numër i madh i tyre edhe diplomohen. Barazimi i vlerave të ndryshme gjatë punësimit e ka varrosur cilësinë e arsimit të lartë. Pastaj ka edhe sfida të tjera të lidhura me inovacionet dhe ndryshimet e mëdha teknologjike. Teknologjia e re e ka ndryshuar mënyrën e të mësuarit. Sot, të mësuarit nuk është i kufizuar vetëm në klasa, amfiteatro ose laboratore. Mësimi mund të zhvillohet edhe nëpërmjet internetit ose formateve të tjera. Po ashtu, inteligjenca artificiale sjell ndryshime të mëdha dhe na sfidon gjithnjë e më shumë.

– Kur flasim për modernizimin e sistemit arsimor, i rëndësishëm është edhe Procesi i Bolonjës. Sa po zbatohet ai në Maqedoninë e Veriut?

Abdylmenaf Bexheti: Në disa aspekte procesi i Bolonjës është zbatuar, por jo në kuptimin përmbajtjesor të tij. Ky proces ka nënkuptuar ndryshime cilësore në arsimin e lartë, jo vetëm aspekte formale-juridike. Ne kemi pranuar parimet formale të Bolonjës, por edhe kriteret funksionale. Formula bazë për dizajnimin dhe modelimin e programeve studimore duhet të jetë në volum dhe strukturë, për të krijuar një rezultat të caktuar nga lënda (të ashtuquajturat learning outcomes) dhe jo vetëm përmes parametrave hyrëse, si numri i orëve për ligjërata, ushtrime etj. Më tej, një nga parimet themelore është mobiliteti i studentëve dhe stafit, i cili nuk zbatohet. Ky parim nënkupton që çdo student ka mundësinë të transferohet, të ndjekë një kurs në një universitet tjetër, të kalojë një semestër në një vend tjetër, të kalojë dy vite në një universitet dhe një vit në një tjetër, me struktura të ngjashme mësimore. Por kjo jo vetëm që nuk ndodh me studentët, por as me stafin akademik.

Universitetet shtetërore, për të kufizuar “rrjedhjen e paligjshme” të stafit të tyre drejt universiteteve private për qëllime “komerciale”, kanë vendosur rregulla paradoksale në ligj duke ndaluar mobilitetin e stafit të tyre. E kuptoj logjikën dhe nevojën, por jo mënyrën. Pra, me dekret ky mobilitet është ndaluar, ndërsa, nga ana tjetër, ai është një nga parimet themelore të Bolonjës.

Një tjetër aspekt është dizajnimi dhe përditësimi i programeve mësimore sipas sistemit të Bolonjës. Bolonja kërkon fleksibilitet, që nuk ekziston në universitetet tona. Programet mësimore sot janë statike dhe nuk mund të ndryshohen për katër vjet, pavarësisht nëse kjo u nevojitet studentëve. Jetojmë në një botë të re ku gjërat ndryshojnë çdo ditë dhe shumë shpejt, ndaj tregu i punës kërkon aftësi të reja. Për shkak të mungesës së fleksibilitetit, nuk mund të përshtatemi me tregun e punës. Pasi të akreditoni një program, ligji ju detyron ta ndiqni atë deri në fund. Përndryshe, do të keni probleme me inspektoratin arsimor. Nga këto aspekte, shohim se Bolonja është më shumë prezentë në formë sesa në përmbajtje. Përmbajtja e Bolonjës është të bëjë universitetet më të përshtatshme për tregun e punës dhe të zvogëlojë hendekun që ekziston midis kërkesës dhe ofertës. Universitetet nuk prodhojnë ato profile që kërkon tregu i punës, as sasiore dhe as cilësore. Nga ana tjetër, një pjesë e madhe e asaj që prodhon universiteti nuk kërkohet nga tregu i punës. Kështu, kemi një asimetri midis kërkesës dhe ofertës.

– Duke marrë parasysh autonominë që u është garantuar universiteteve, a ka ndonjë mundësi që programet universitare, megjithatë, të harmonizohen me tregun e punës? Ku është zgjidhja e këtij problemi?

Abdylmenaf Bexheti: Mendoj se zgjidhja qëndron në lirinë më të madhe akademike të vetë universitetit. Përveç pjesës që merret me shtyllat kryesore, konceptuale, të cilat duhet të përbëjnë jo më shumë se 50 për qind të programit, pjesa tjetër duhet të krijohet nga vetë universiteti brenda lirisë së tij akademike për të konkurruar mes tyre. Universiteti duhet të lihet të marrë përgjegjësi për përshtatjen e programeve mësimore me vetë tregun e punës. Siç e thashë, deri një muaj më parë drejtoja Konferencën Ndëruniversitare me 16-17 rektorë dhe pashë se rektorët ishin më aktivë kur krijohen organet rregullatore, përkatësisht kur zgjidhen bordet për vlerësim dhe akreditim!

– Në këtë aspekt – çka do ta këshillonit qeverinë e re? Si të kalohet nga reformat “politike” në reforma që bazohen në ekspertizë?

Abdylmenaf Bexheti: Parakushti i parë është të ndërtohet një konsensus i gjerë politik që koncepti i strategjisë së miratuar, nga pushteti e opozita, të jetë i qëndrueshëm pavarësisht rotacioneve dhe ndikimeve politike. Pra, të mos pengohet Ministria e Arsimit dhe Shkencës nëse do të duhet që arsimi të reformohet në kuptimin e plotë të fjalës. Nuk bëhet politikë ditore me arsimin pasi është diçka shumë e shenjtë për t’u politizuar. Fatkeqësisht sistemi i vlerave është rrënuar në arsimin tonë në tërësi, si në të lartin ashtu edhe në të ulëtin apo të mesmin, sepse edhe suksesi i arsimit të lartë varet nga sukseset paraprake. Po ju them një fakt, i cili na tregon tani se si nuk ka funksionuar për dy vite sistemi online i mësimdhënies në shkollat për arsye të pandemisë Covid-19. Tani ne kemi gjeneratat e para të pandemisë, të cilat kanë qenë të detyruar të ndjekin mësimin online në vitin e dytë apo të tretë në shkollat e mesme. Me ato kemi një hendikep të madh. Vitin e ardhshëm do ta kemi gjeneratën e cila  ndoqi mësimin online në vitin e parë dhe të dytë në shkollimin e mesëm. Kjo tregon se gjatë pandemisë mësimi online është mbajtur vetëm në raportime, por jo edhe në esencë. Janë tre – katër gjenerata të cilët ne po i ndjejmë në rënien e cilësisë dhe ne duhet të japim shumë mund për ta kompensuar dijen minimale specifike. E keni parasysh kur një student regjistrohet në ekonomi, biznes, shkenca kompjuterike, inxhinieri, por nuk i di operacionet bazike me thyesa. Nuk di katër operacione bazike matematikore me thyesa dhe ju duhet t’i shpejgoni aspekte të tjera, si derivate apo integrale.

– Edhe pse bisedimet për anëtarësim në BE ende nuk kanë filluar realisht, megjithatë vendi duhet të zbatojë reformat që janë urgjente për shkak të botës globale dinamike në të cilën jetojmë. Në lidhje me arsimin, Klasteri 3 në procesin e negociatave përcakton reformat që duhet të bëhen në këtë fushë. Klasteri 1 parashikon gjithashtu disa reforma në lidhje me mobilitetin. Sa kapacitet ka vendi për të përmbushur këto standarde?
Abdylmenaf Bexheti: 
Tashmë është e qartë se kemi mungesë kapacitetesh dhe do të kemi gjithnjë e më shumë. Kjo për shkak se në masë të madhe janë devijuar kriteret për atë se kush mund të jetë profesor në shkollë të mesme, kush mund të jetë profesor në arsimin e lartë. Dy dekada më parë e kishim konceptin “di-si” (know-how), pra të dish si t’i bësh gjërat, por sot kemi konceptin “di-çka” (know-what), pra e di çfarë bën. Sot, tregu i punës ka kërkesa të ndryshme nga viti në vit, ndërsa ne jemi ende në një botë konservatore për sa i përket lirisë akademike. Krijohen lëndë për profilin e një profesori, i cili më pas i reziston përshtatjeve të nevojshme duke thënë: “këto janë lëndët dhe fushat e mia”! Sikur këto lëndë të ishin në pronësi të tij private. Nga ana tjetër, sot përballemi me sfidat e teknologjisë, inteligjencës artificiale dhe tashmë nuk e dimë se çfarë duhet të jetë shkenca dhe prodhimi shkencor në lidhje me vlerat e reja shkencore. Konceptet e prodhimit dhe riprodhimit shkencor janë përzier! Numërimi i citimeve është bërë inxhinieri! Shkencë është ajo që krijon njohuri të reja, vlerë të re, mendim kritik të ri, inovacione, etj., dhe jo “rrjete për citime të organizuara “! Këto janë sfidat e mëdha për të cilat, për fat të keq, shumë njerëz në botën akademike nuk janë të vetëdijshëm. Për këto sfida duhet të mendojnë edhe krijuesit e politikave arsimore dhe shkencore.

Teksti është zhvilluar në kuadër të projektit “Përfaqësim për zhvillim gjithëpërfshirës”, i mbështetur financiarisht nga Qeveria e Zvicrës përmes programit Civica Mobilitas.

Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e vetme e Forumit për Politika të Arsyeshme, IOHN dhe BIRC dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Qeverisë së Zvicrës, Civica Mobilitas ose organizatave të saj zbatuese.

Burimi: BIRC