Cluster3edu

Aziz Pollozhani ka një përvojë të madhe në procesin e reformave në arsim. Nga viti 1998 e deri më 2002 ka qenë deputet, në periudhën 2002-2006 ka drejtuar Ministrinë e Arsimit, ndërsa më pas ka qenë rektor i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup. 

Sipas tij, e vetmja strategji e zhvillimit të arsimit që ka kaluar në Parlament me konsensus është ajo 2005-2015. “Është i vetmi dokument që ka kaluar në Parlament me mbështetjen e të gjitha partive politike. Prej atëherë kemi segmente të strategjive të vogla njëvjeçare, dy-trevjeçare. Këtu te ne opinioni nuk di se çfarë reformash bëhen dhe çka duam të arrijmë me arsimin.”, thotë Pollozhani, duke theksuar nevojën për një strategji afatgjate dhe mbipartiake.

Profesor cilat janë defektet kryesore sipas jush që pamundësojnë një sistem arsimor të lartë cilësor?

Aziz Pollozhani: Janë bërë shumë analiza, ka shumë këndvështrime të ekspertëve të arsimit, profesorëve, ka edhe dokumente ndërkombëtare që trajtojnë rrjedhat në arsim. Por siç duket problemi kryesor është se ato dokumente askush nuk i trajton me seriozitet, nuk i lexon dhe nuk i nxjerr përfundimet e duhura të cilat mund të përdoren për politikat arsimore në nivel të kulmit të organizimit politik të shtetit. Një kohë të gjatë arsimi po e pëson më së keqi nga periudha e tranzicionit. Duke trashëguar një sistem të kaluar të arsimit dhe duke e vlerësuar atë si shumë pozitiv, ndërkohë që kemi harruar të sotmen. Ne e kemi glorifikuar aq shumë atë të kaluar saqë tani kemi problem me ndryshimin e sistemit arsimor dhe thjesht kjo ndjenjë po i përcjell të gjitha qeveritë. Nuk është vetëm ministri përgjegjës, nuk është vetëm një person ai që mund ë ndikojë apo ndryshojë arsimin. Nevojitet një projekt dhe qasje gjithëpërfshirëse. Kjo nënkupton përfshirjen e pushtetit lokal dhe qendror, si dhe të gjithë atyre që janë faktorë në arsim. Aty janë prindërit, arsimtarët, por edhe nxënësit, varësisht prej moshës kur ata fillojnë të mendojnë me kokën e vet. Arsimi është i lënë aq shumë pas dore sa që është vështirë të targetosh një përgjegjës të vetëm. Pra, është problem shumë i madh, me pasoja të mëdha dhe me përgjegjës të shumtë.

Pse nuk mund të dilet nga ky rreth vicioz i defekteve që përsëriten vazhdimisht?

Aziz Pollozhani: Do ta përsëris fjalinë që e thash më parë – ne nuk jemi munduar të bëjmë transformim rrënjësor në përputhje me vlerat e reja që po i ndërtojmë dhe që i synojmë në të ardhmen. Kjo do të thotë një arsim që është në përputhje me një shoqëri demokratike, një shoqëri me mendim kritik. Mendimi demokratik për ndryshim ose për të bërë diçka rrjedh nga aftësia e njerëzve për të menduar në formë kritike. Mënyra e të menduarit kritik mbjellët dhe kultivohet në shkollë. Ne akoma e kemi metodologjinë e të mësuarit, i cili nuk kultivon mendimin kritik dhe akoma po kultivojmë mendimin jokritik, me përjashtime normalisht. I mësojmë nxënësit çka duhet të dinë ata, jo si duhet të dinë ata. Pra akoma ne duhet t’i mbajmë nën kontroll sepse ashtu ishte sistemi i kaluar, duke i dhënë nxënësve atë që ata duhet ta dinë, jo që t’i mësojmë ata që të kenë mendim kritik, të lexojnë më shumë variante të mundshme të një teme dhe në fund të kenë aftësinë që mbi bazën e mendimit kritik të zgjedhin atë që është më e qëndrueshme, atë që është më e arsyeshme.

E përmendët të menduarit kritik dhe kjo çështje lidhet ngushtë me testet PISA. Shohim rezultate shumë të dobëta në rangimet ndërkombëtare. Ku qëndron problemi?

Aziz Pollozhani: Si në arsim, ashtu edhe në shoqëri në përgjithësi, gjërat janë të lidhura. Por, arsimi është baza që ndërton këtë lidhshmëri. Duhet të përpilohet një koncept mësimi, i cili çon nga sintetizimi i njohurive, gjë që arrihet nëpërmjet të menduarit kritik. Kur vjen puna tek PISA, të cilën e përgatisin vendet e OECD-së – pra diku rreth 80 vende, ato e përpilojnë për të vlerësuar sistemin arsimor nëpërmjet nxënësve. Respektivisht edhe nëpërmjet mësuesve sepse nxënësit janë produkt i tyre, pra lidhshmëria është aty. Për mendimin tim, nuk është problemi që nxënësit tonë dinë shumë pak, ose aq pak sa pretendon PISA , por ata nuk dinë të përgjigjen ashtu siç kërkon PISA. Kjo është sepse ata janë përgatitur në atë mënyrë që të mos jetë i aftë të krijoj lidhshmëri mes njohurive. Rezultatet e dobëta të PISA-s nuk tregojnë vetëm atë se arsimi jonë është jo në nivel të kënaqshëm. Unë kam qenë ministër i arsimit dhe shumë shpesh i evitoj këto konstatime ekstreme se arsimi gjoja është shkatërruar. Nuk besoj se është ashtu.  Por është fakt se nuk tregon rezultate të kënaqshme dhe në nivelin e pritjeve të gjeneratave për një të ardhme tjetër. Prandaj kemi këto rezultate në PISA. Sistemi jonë arsimor nuk përkon me atë që kërkon vet dokumenti i PISA-s, i cili kërkon lidhshmërinë e fenomeneve, ngjarjeve që të arrish te ajo dije me qëllim që të mund ta përdorësh praktikisht. Një dije e cila nuk mund të përdoret definohet si analfabetizëm funksional. Jo që nuk di të shkruaj, jo që nuk di tabelën e shumëzimit, elementaret, por që nuk di ta aplikojë atë dije. Dije jofunksionale. Pra, problemi më së shumti është edhe organizativ dhe politik. Jo në kuptimin e politizimit, por në kuptimin e politikave arsimore se çka po duam të arrijmë me arsimin.

Të fokusohemi pak tek arsimi i lartë. Sa mendoni se është i zbatuar Procesi i Bolonjës në Maqedoninë e Veriut?

Aziz Pollozhani: Në kohën kur isha Ministër, unë e kam nënshkruar Procesin e Bolonjës. Ishte synimi jonë që nëpërmjet tij të përshtatemi me modelet evropiane të arsimit të lartë. Profesorët me siguri e dinë, por për opinionin publik do të rikujtoj se Procesin e Bolonjës përherë të parë e kanë menduar në vitin 1998 disa ministra evropianë. Një vit më vonë ky Proces u nënshkrua. Qëllimi është të krijojnë kuadro më kompetent dhe të lidhin arsimin me shkencën, të hiqen pengesat e mobilitetit të studentëve dhe profesorëve, të njihen kreditë, diplomat..dhe kështu të nxitet zhvillimi ekonomik. Kur u nënshkrua Procesi kishte këto synime. Por vendet tona nuk ishin të gatshme kështu ta kuptojnë Procesin e Bolonjës. Meqë nënkuptonte transformime të brendshme, sidomos të universiteteve, të cilët në emër të autonomisë refuzonin transformimet, ne nisëm vetëm mekanikisht t’i zbatojmë disa segmente. Për shembull: duke ndarë një lëndë që ishte tre semestrale i bënin tre lëndë. Ta marrim lëndën e anatomisë, për shkak se jam mjek: anatomia në kohën tonë ishte një lëndë e ndarë në tre semestra. Tash është bërë anatomia 1, anatomia 2, anatomia 3. Pra, në vend se të shkohet kah përmisimi i cilësisë, ku të shtohet edhe numri i profesorëve për lëndët adekuate, ne vetëm i ndamë lëndët, bëmë për secilën nga një libër dhe thamë e zbatuam Bolonjën. Nuk është ajo Bolonja. Bolonja është të fusësh frymën e ndërmarrësit në proces, ose kompetencën, sepse kompetenca është pak më shumë se dija. Të fusësh edhe kulturën, të fusësh edhe inter-kulturën, të njohësh edhe tjetrin, të mësosh si të jetosh edhe me tjetrin. Kështu nëpërmjet Procesit të Bolonjës të arrijmë në sistem të ri arsimor, i cili më lehtë do të jetë të integrohet në tërësinë kulturore evropiane. Këta ishin synimet thelbësore. Ne përkundrazi, e  politizuam sistemin duke u marrë akoma me çështje identitare, të cilat janë në kundërshtim me proceset integruese. Kjo solli një divergjencë mes qëllimeve të arsimit të Procesit të Bolonjës dhe emocioneve, trashëgimisë kulturore të njerëzve, të mentalitetit pra, i cili akoma është shumë prapa. Më pas pati akuza se Procesi i Bolonjës e shkatërron arsimin. Kjo nuk është e vërtetë. Mentalitetet e ndërtuara që nuk deshën të transformohen e shkatërruan Procesin e Bolonjës. Të sqarohemi – ka vende që edhe nuk e kanë pranuar Bolonjën, por ata kanë qenë mirë në këtë aspekt edhe para apo pa Bolonjën. Por, shqetësues është fakti se sistemi jonë arsimor po tregon shenja të dobësisë si rezultat i mentaliteteve dhe i menaxhimit përtej qëllimeve që i ka arsimi. Pra, po merremi më shumë me të kaluarën se me të ardhmen.

Si mund të kalohet nga reformat politike “improvizuese” në reforma që bazohen në ekspertizë? Çka duhet ndryshuar?

Aziz Pollozhani: Politikat arsimore në sistemet demokratike nuk bartin me vete ideologji partiake. Ato politika duhet të nënkuptojnë meritokracinë, jo lojalitetin partiak. Fatkeqësisht, politikat e së kaluarës tashmë kanë transformuar mentalitetet dhe kanë ngulitur në trurin e rinisë dhe intelektualëve tanë mentalitete të cilat është vështirë të çrrënjosen.

Kllasteri 3 në procesin e negociatave i definon reformat që duhen të bëhen në arsim. Edhe klasteri 1 po ashtu parasheh disa reforma në aspektin e mobilitetit. Sa ka kapacitete Maqedonia e Veriut ti përmbush këto standarde sipas mendimit tuaj?

Aziz Pollozhani: Procesi i integrimit është proces ku deri diku shkohet me politika cilësore. Është një proces ku diku lejohesh të ecësh vet me sugjerimet e evropianëve, krijon një stabilitet, pastaj fillon krijon edhe standarde duke i adaptuar ligjet që njihen si “acquis communautaire”. Më pas duhet të krijosh vlera evropiane. Krijimi i vlerave evropiane jo vetëm në letër por edhe në praktikë. Këtë e nënkupton faza e negocimit – prej kur hapen negociatat e deri kur të bëhesh anëtar. Integrimi evropian dhe përmbushja e kritereve evropiane është një proces transformues shoqëror. Ne duhet ta bëjmë atë për vete. Ne mund të gjejmë vendin tonë dhe të kontribuojmë për atë çka quhet kulturë evropiane.

Përmendët më parë vizionin tuaj për arsimin dhe për reformat. Është e theksuar vazhdimisht nevoja për reforma por deri tani nuk ka pasur një projeksion të qartë se çfarë konkretisht duhet përfshirë ky proces reformash. Mund të na thoni se nga duhet të fillohet?

Aziz Pollozhani: Arsimi është çështje publike, pra nuk është vetëm qeveritare. Aq më pak e një ministrie. Arsimi tangon sfera të ndryshme të shoqërisë, duke filluar nga pjesa politike e deri te prindërit, arsimtarët, nxënësit. Është një proces kompleks që duhet të trajtohet me shumë kujdes dhe drejtësi, gjithnjë duke ruajtur vlerat e arsimit. Fatkeqësisht është bërë pak në këtë drejtim, bile ka edhe degradim. Neve na duhet një strategji afatgjate, e cila do të jetë një kornizë për ecjen dhe zhvillim e arsimit. Duhet të nisim nga vlerësimi se ku jemi dhe pse jemi, ta qartësojmë se pse duhet të ndryshohet sistemi arsimor dhe ta definojmë qëllimin se ku dëshirojmë të arrijmë. Reformat gjithmonë dështojnë sepse kemi vetëm një strategji të miratuar në Parlament. Prej 2005 e deri më 2015 kishim programin për zhvillim e arsimit në të gjitha nivelet, prej parashkollor deri në universitete. Është i vetmi dokument që ka kaluar në Parlament me mbështetjen e të gjitha partive politike. Prej atëherë kemi segmente të strategjive të vogla njëvjeçare, dy-trevjeçare. Këtu te ne opinioni nuk di se çfarë reformash bëhen dhe çka duam të arrijmë me arsimin. Është emergjente për qeverinë të mbledhë një grup me njerëz kompetent të fushës së arsimit, të cilët do të përgatisin një strategji e cila do të miratohej në Parlament me mbështetjen e të gjitha partive politike. Kur bëhet strategji në arsim nuk bëhet për tre-katër vjet, por së paku për dy mandate qeverisëse. Edhe kur të ndërron qeveria, strategjia vazhdon të zbatohet. Për këtë nevojitet edhe një udhëheqje kompetente e ministrisë, një vullnet politik i qeverisë për ta mbështetur këtë resor sepse arsimi ka edhe probleme të tjera. Ne kemi probleme të cilat ende nuk i diskutojmë. Problemi me numrin e profesorëve dhe numrin e nxënësve. Neve po na mbyllen shkollat. Çka do të bëhet me ato shkolla, çfarë mësimi krijohet në një shkollë ku ka pesë nxënës – një viti i parë, dy viti i dytë, një viti i tretë, asnjë viti i katërt. Si mundemi të përmirësojmë cilësinë me këtë sistem? Kemi arsimtarë të cilët edhe për fajin tonë nuk janë në nivelin e detyrës. Në njëfarë mënyre duhet të bëjmë një dokument strategjik transparent që nënkupton kyçjen edhe të faktorëve, pushtetit dhe opozitës, universiteteve, por edhe ekspertëve dhe shoqërisë civile. Kemi menduar se në demokraci çdo gjë do të lulëzojë, por tash kur na ikë rinia, kemi ardhur në një situatë kur askush më nuk e diskuton çështjen e reformave në arsim. Një aspekt tjetër është edhe ndarja e mjeteve buxhetore për arsimin. Ato duhet të shpenzohen në mënyrë të mençur, duke racionalizuar arsimin në të gjitha nivelet në funksion të cilësisë. Njëkohësisht duhet rritur edhe financat për shkencën. Shkenca është ajo që e bën njeriun më të aftë, më kompetent.

Në shumë debate është theksuar nevoja e harmonizimit të kurikulave universitare në tregun e punës. Ka një mospërputhje, një hendek të madh që gjithnjë po rritet. Si mund të tejkalohet kjo?

Aziz Pollozhani: Do të ishte një retorikë e thjeshtë të tregoj se si. Dihet se si bëhet ky harmonizim. Njëherë duhet pedagog kompetent. Laboratorë po ashtu të mjaftueshëm dhe lidhshmëri mes atyre që japin punë, bizneseve, dhe atyre që japim kuadro, universiteteve. Normalisht duhen edhe masa tjera ligjore, me të cilat do të stimulohet kjo lidhshmëri. Për arsimin e lartë është shumë më lehtë sepse profesorët janë ata që duhet të propozojnë forma të bashkëpunimit me faktorët ekonomik, si me odat ekonomike. Interesi i ndërsjellë do të krijojë këtë lidhje pasi “There is no free lunch” ka thënë Friedmani.

Burimi: BIRC