Cluster3edu

Sa janë politikat e arsimit të lartë dhe drejtimet në universitete në përputhje me tregun e punës? Sa realisht universitet janë në shërbim të studentëve dhe bashkë me këtë në shërbim të dinamikave të tregut të punës?

Përgjigjen në këto pyetje e gjejmë në të dhënat e fundit të Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS), ku janë evidentuar mbi 10 mijë vende të reja të punës, ndërsa 110 mijë evidentohen si të papunë.

Ekspertët thonë se është koha për një mbindërtim të sistemeve arsimore të deritashme, që në shumicën e rasteve janë skematike dhe jokreative. Sipas tyre, nevojitet një ndryshim i kurrikulave dhe programeve mësimore, të cilat nuk do të jenë improvizim, por një suazë e vërtetë reformash dhe zhvillimi i bazuar në studime socio-kulturore dhe modele që vijnë nga përvoja të ngjashme të suksesshme.

Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Akademikut Abdylmenaf Bexheti, thekson se është e rëndësishme të krijohen struktura dhe oferta të reja që të inkurajojnë studentët të mësojnë më shumë në fushat që kërkon tregu i punës.

“Është e nevojshme të shmangen teoritizimet dhe leximet mekanike, dhe të përqendrohemi në zhvillimin e mendimit kreativ. Është me rëndësi që studentët të kenë mundësi të zhvillojnë shkathtësi në mënyrë që të jenë të përgatitur për kërkesat e tregut të punës”, thekson Bexheti.

Bexheti thotë se brenga për përshtatshmërinë e profileve të përgatitura me kompetencat që i kërkon tregu i punës është një çështje e rëndësishme që është diskutuar gjatë 3-4 viteve të fundit. Ai thekson se asociacionet ekonomike dhe tregu i punës kanë bërë thirrje për përmirësimin e përgatitjes së studentëve sipas kërkesave dhe aftësive të kërkuara nga tregu i punës.

“Një problem i dytë është se shumica e studentëve studiojnë drejtime dhe shkencat socio-ekonomike, humanitare dhe filologjike, ndërsa shkencat teknike dhe ekzakte, të cilat kërkohen nga tregu i punës, janë më pak të preferuara. Kjo bën që hendeku midis kërkesës dhe ofertës në tregun e punës të zgjerohet. Megjithatë, një aspekt pozitiv i kësaj situatë është se asociacionet dhe odat ekonomike po bëjnë thirrje për ndryshim dhe kërcënojnë me mospagesën e taksave nëse nuk sigurohet përgatitja e profileve të nevojshme”, thotë Bexheti.

Rektori i Universitetit të Tetovës, Jusuf Zejneli, thekson se universiteti që ai e udhëheq do të përgatisë edhe strategjinë finale të bashkëpunimit me të gjitha kompanitë në vend, për të parë se cilat janë kërkesat e tregut të punës në përgjithësi.

“Do të jetë një nga risitë, për arsye se këtu duhet të kemi një qasje të veçantë, gradualisht do të përgatisim strategjinë e bashkëpunimit, vizitave me të gjitha kompanitë gjigante në vend dhe të tjera, për të parë se cilat janë kërkesat e tregut të punës në përgjithësi, si dhe ku duhet të jetë fokusi i universitetit në veçanti”, thekson Zejneli.

Në drejtim të përshtatjes së universiteteve me nevojat e tregut është edhe projekti “Përfaqësim për zhvillim gjithpërfshirës”, i mbështetur financiarisht nga Qeveria e Zvicrës përmes programit CIVICA Mobilitas.

Projekti ka filluar të zbatohet që nga dhjetori nga ana e Forumit të Politikave të Arsyeshme (FRP), në partneritet me Institutin për Shkenca Sociale dhe Humane—Shkup (ISHSH) dhe Institituti Ballkanik për Bashkëpunime Rajonale (BIRC).

Qëllimi kryesor i projektit është ngritja e vetëdijes për rëndësinë zbatimit të Procesit të Bolonjës, veçanërisht për vlerën e tij themelore – mobiliteti, si parakusht për zbatimin e planifikimit ndërsektorial të arsimit të lartë dhe veprimtarisë shkencore në fushën ekonomike.

Burimi: KDP